Një tjetër Vezuv



Nydia, më udhëhiq si Glaukun se pritet një shpërthim më i fuqishëm se ai i malit Vezuv...
Sa do të doja të kisha jetuar në tjetër kohë, a ndoshta në tjetër realitet! 
Më zë frymën ideja se kush është VIP e kush është influencues sot!

Nuk pajtohem dot me ju kur të bukurën e prezantoni me buzë, vetulla e forma të bëra, artificiale. As kur e vini diçiturën “acqua sapone” në një fotografi të sfumuar nga filtrat. 
Jo, sepse njëra nga ne, më e re se ne, më e dobët se ne, pa vetbesimin e duhur, mund të ndihet “pak”. 
Jo, sepse nuk po na thoni e nuk po ju themi të tjerëve se s’ka bukuri më të kulluar se kur ti qesh me shpirt! 
Jo pra jo, sepse nxjerr lulet që të dhuron ai por nuk tregon sa herë ai të bën të ndihesh më pak (në rastin më të mirë, ose të fyen, të tradhton e të kërkon edhe fjalëkalimin e telefonit). A të ka shkuar ndonjëherë në mendje sa të tjerë mund të dobësojnë marrëdhënien nisur nga krahasimi me marrëdhënien tuaj ideale, përrallore, instagramse! Sa më lodhin recetat e gatimit kur përbërësit që duhen për një recetë kushtojnë aq sa shporta ushqimore javore e shumicës së ndjekësve tuaj. 

Duhet një shpërthim si ai i Vezuvit por të shpëtojmë të gjithë, ta shohim perfekten të kthehet në tym e të ndjekim influencues të rinj; ata që na sjellin në paqe me veten e natyrën!  

Comments

Popular Posts