Ne të dyja, nga një shtëpi në tjetrën


Monstera Deliciosa - Lule Shqiponja















Lule Shqiponja, nga Fjalorthi i Botanikës të FGJSSH (1980) përkufizohet si;

SHQIPONJË f. 3. Bimë shumëvjeçare  zbukurimi, përherë e gjelbër, me gjethe të mëdha e të prera thellë, që u përngjajnë krahëve të shqiponjës, luleshqiponjë.

Ndërsa për mua lule shqiponja është një mike e mirë që më bën të ndihem në shtëpinë time në çdo apartmanet me qira të Tiranës. Ajo erdhi për mua nga Tropoja (u desh shumë kujdes rrugës) dhe bashkë kemi ndërruar 3 shtëpi për 4 vite. 



Më shoqëron pothuajse në çdo fotografi kur ndodhem në shtëpi
Në fillim, ndihesha shumë e dobët për t'u përkujdesur për të. Mami që i do shumë lulet, ma kishte besuar mua tashmë Shqiponjën e shtëpisë sonë dhe unë nuk mund t'ia lejoja vetes ta dëmtoja. Vazon nuk ia ndërrova vetë atë vit. Tani që kanë kaluar 4 vite, më në fund mora guximin t'i ndërroj vazo dhe ta ndaj, pasi është rritur shumë. Lule Shqiponja është bimë tropikale, ndaj përveçse ta ujis, asaj i pëlqen edhe t'i spërkas gjethet me ujë. Më vjen keq por më duhet ta gënjej që është shi i pyjeve tropikale ku mund të ishte rritur me tjetër hov.


Ishte shumë e vështirë ta ndaje pa dëmtuar rrënjën e re

Nga ndarja që i bëra, përfitova edhe 2 lule të tjera të vogla, njëra u mboll dhe tjetra do rrijë në ujë derisa të lëshojë mjaftueshëm rrënjë. Akoma pa i ndarë e kisha planifikuar për kënd do jenë 2 lulet e reja. Më pëlqen shumë të dhuroj lulet që i kam mbjellur vetë. Janë mënyra më e mirë për t'i treguar dikujt që shqetësohesh dhe kujdesesh për të që të jetë mirë, si për lulet në shtëpinë tënde.


Duhet shumë kujdes, të pastrohet gërshëra/thika para se të ndash degën e lules !!!
Mendoja që situata në të cilën gjendemi do më pengonte me lulet, tani vrapojmë për bukën dhe ushqimet. Pastaj një shoqe më tregoi se te Pazari i Ri, makina me lule vjen edhe këto ditë. Atje mora dheun dhe atje mund të gjesh edhe lule të tjera për të mbjellur. Ndërsa për vazo mos u shpenzo por riciklo, ruaj një nga shishet plastike të ujit, me siguri këto ditë kemi hedhur shumë. Më tej, me spango sajova një veshje të bukur për shishen vazo.




 


Mos harro, ndër të tjera, këto ditë po përjetojmë edhe pranverën! Ndaj në mos e shijofshim dot shpërthimin e luleve e sythave le të mbjellim pranverën në shtëpinë tonë.


Comments

  1. Zogi Tropojes -Keto kohe ne vetem friksohemi nese do jetojme apo jo .Harruam qe duhet ta jetojme ,shijojme ,duam...JETEN. Faleminderit per pozitiviten. 🌱☘🤗😍

    ReplyDelete
  2. Zogi i Tropojes .Faleminderit ...Keto kohe friksohemi- "A do jetojme?",por harruam se
    duhet ta jetojme,duajm ,shijojme ne cdo moment JETEN .☘🌱😍

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular Posts