Primo Levi - A është, vallë, njeri...? dhe Armëpushimi


Primo Levi, shkrimtari italian me origjinë hebreje, që i mbijetoi Holokaustit dhe e rrëfeu siç vetëm ai do dinte ta bënte! 

Unë u njoha me veprën e tij më 27 Janar 2020. Në ditën ndërkombëtare të Holokaustit mësova se Botime Pegi kishte sjellë 2 libra të tij për lexuesin shqiptar; "A është, vallë, njeri...?" (2016) përkthyer nga  Genci Pjetri dhe fill pas tij "Armëpushimi" (2017) përkthyer nga Aida Baro

Primo Levi hyri pa rradhë në bibliotekën time dhe u rendit në krye të listës. Gjithça tjetër pezullohej deri në një njoftim të dytë! Duhej lexuar të dy librat, menjëherë!

A është, vallë, njeri...?

Nis me poezinë me të njëjtin titull;


E fuqishme, kërkon vëmendjen dhe besimin tonë se krejt çka thuhet ndër vargje është e vërtetë. Të njohim dhe ta prezantojmë tek të tjerët rrëfimin e njërit prej atyre, të mbijetuarve. 
Libri vjen si çlirim i brendshëm i autorit dhe nevojë për t'i njohur të gjithë me ndodhitë çnjerëzore të asaj kohe dhe atij vendi. Nuk mund ta kalosh si çdo lexim tjetër, ai është rrëfim, dëshmi, ndaj do futesh në lëkurën e atij dëshmitari për të rikujtuar me të çdo pjesë. Primo Levi nuk shkruan që lexuesi të ndjejë keqardhje por që lexuesi ta njohë të vërtetën lakuriq, zhveshur nga emocionet. Të vjen pështirë ta mendosh e ta besosh deri ku mund të arrijë njeriu! 

"Të gjithë zbulojnë pak a shumë herët në jetën e tyre që lumturia e përkryer s'është e realizueshme, por janë të paktë ata që ndalen në mendimin e kundërt: që njësoj është edhe për fatkeqësinë e përkyer. Rrethanat që kundërshtojnë përmbushjen e dy gjendjeve - kufi janë të së njëjtës natyrë: rrjedhin nga prejardhja jonë njerëzore, armike e çdo pafundësie" (fq. 13)
Ky libër rrëfen ngjarjet nga dhjetor 1943, kur milicia e merr në pyetje autorin, udhëtimi në Lager dhe çdo ngjarje e mundshme që autori e konsideron të rëndësishme, deri në ditën e fundit të kampit. Rrëfen frikën nga e panjohura gjatë udhëtimit, kur mbërrijnë në Lager dhe gratë, fëmijët e pleqtë i ndajnë në një tjetër grup. Rrëfen ritmin pas asaj dite, dil dhe kthehu, fli dhe ha, sëmuru, shërohu ose vdis. Më tej, tmerrni e atij kampi dhe prezanton njëkohësisht optimistin dhe pesimistin, të dy në të njëjtat kushte, në pozita ekstreme. Ai rrëfen si shkoi në prag të vdekjes, përtej saj, si humbi çdo dëshirë a vullnet për të mbijetuar. Tëhuajzimin e njeriut përballë mekanizmave të shkatërrimit, urdhëruar nga një tjetër njeri. Derisa siç shkruan Levi nuk mbetesh më "aq gjallë sa për të vrarë veten".

Steinlauf, ish rreshter i ushtrisë austro-hungareze, thoshte;
"Pikërisht sepse Lageri është një makinë e madhe për të na shndërruar në kafshë, ne s'duhet të bëhemi kafshë: që edhe në këtë vend mund të mbijetohet dhe prandaj duhet të duash të mbijetosh, për të treguar, për të sjellë dëshmi, dhe për të jetuar është e rëndësishme të mundohesh të shpëtosh të paktë skeletin, bazën, formën e qytetërimit." 
Megjithatë autori ka momente kur nuk i mbetet asnjë fije dëshirë për të rrëfyer;
"Ne s'do të kthehemi - Askush s'duhet të dalë prej këtu që të mund t'i çojë botës, bashkë me shenjën e ngulur në mish, lajmin e keq se çfarë mund t'i bëjë, në Aushvic, njeriu njeriut." (fq. 60)
Ah sa shumë kam për të thënë për këtë libër, mund të shkruaj çdo situatë a personazh. Kam mbajtur shënim shumë shprehje por s'e di a jam e rrjedhshme apo po ju lodh?! Megjithatë, nëse dikush lexon këtë shkrim por jo librin, duhet t'i përcjell edhe pak nga Primo Levi. Ndër të tjera ai shprehet;
"Është njeri ai që vret, është njeri ai që bën ose pëson padrejtësi: s'është njeri ai që, pasi ka humbur maturinë, ndan shtratin me një kufomë. Ai që ka pritur që fqinji i tij të vdesë për t'i marrë një çerek bukë, është, edhe pse jo për faj të tij, më larg nga modeli i njeriut të arsyeshëm, sesa njeriu më i pagdhendur i xhunglës dhe sadisti më i egër." (fq 194)

Armëpushimi

Në vend të parathënies ka një tjetër poezi;


Libri nis në faqen e fundit të "A është, vallë, njeri...?", kur në kampin e braktisur nga gjermanët, shfaqet patrulla e parë ruse.
"As na përshëndetën, as na buzëqeshën; dukeshin të trysur, jo vetëm nga mëshira, por edhe nga një ngërç ndjenjash trazuese, që ua vuloste gojën, dhe ua mbërthente sytë pas asaj skene mortore. Ishte po ai turp që e njihnim mirë, ai turp që na fuste në dhé pas seleksionimeve, apo sa herë që na takonte të shihnim, ose t'i nënshtroheshim vetë, përdhosjes: ai turp që gjermanët s'e njohën kurrë, ai turp që njeriu i drejtë ndien para krimit të kryer nga të tjerët dhe e bren ndërgjegjja që një krim i tillë ekziston, që, në mënyrë të pandreqshme, është bërë pjesë e rendit të kësaj bote, dhe vullneti i mirë i këtij njeriu nuk ka sjellë asnjë dobi ose mbase fare pak, e dëm ka shkuar gjithë mundi për t'u mbrojtur." (fq. 11)
Çdokush që ka lexuar librin e parë, ka ecur në çdo hap me autorin, në këpucët që kishte të drejtë t'i përzgjidhte veç duke i parë, dhe jo një palë këpucë por  një këpucë për këmbën e djathtë dhe një tjetër për të majtën. Kush ka lëvizur pak gishtat e këmbës nga frika se mos i mpiheshin teksa lexon se si "kur këmbët ënjten, dhe sa më shumë të ënjten, më shumë fërkohen me drurin dhe mbulesa e këpucëve bëhet e padurueshme" (A është, vallë, njeri...? fq.35), do e kërkojë patjetër Odisenë e kthimit.

Në librin "Armëpushimi" autori rrëfen rrugën e pakuptimtë të kthimit, vonesat, ndalesat, peripecitë. Ai flet për veten, të tjerë nga Lager dhe personazhe të reja që takon gjatë udhëtimit në kthim. Sipas meje, ndryshe nga libri i parë, këtu autori iu vesh personazheve më shumë shpirt, përpiqet t'i tregojë njerëzor pavarësisht çnjerëzimit që përjetuan.

Tashmë në rrugën e pasigurtë të kthimit, ata mund të përjetojnë të njëjtat shqetësime dhe emocione si çdo njeri në kërkim të një kafshate bukë për sot.
Nga Holokausti mbijetuan Greku dhe Çezari gati për tregti. Njëri ishte i lirë, kurnac dhe i arsyeshëm. Tjetri skllav i vetvetes, dorëshpuar, hokatar e shpuzak. Njëri ujk vetmitar e tjetri i biri i diellit.
Ndërsa Primo Levi duket më i rraskapitur me lirinë në shpatulla. Gjithçka që ai ka përshkruar ftohtë në librin e parë, së fundmi, e ka dergjur atë në shtrat. Ashtu nëpër jerm ai "fotografon" në mendje çasin e largimit nga kampi;
"për herë të fundit, më kaluan para sysh si në revistë, barakat ku kisha vuajtur e isha burrëruar, sheshi i apelit ku ende ngriheshin, bri më bri, trekëndëshi dhe një pemë e madhe Krishtlindjeje, si dhe porta drejt skllavërisë, mbi të cilën, boshe tashmë, lexoheshin ende tri fjalët tallëse: Arbeit macht frei, "Puna ju bën të lirë"" (fq. 16)
Gjatë rrugës së kthimit prezantohemi me shumë emra të tjerë, ndoshta ata e kanë rrëfyer vetë historinë e tyre, por jo Huberniku 3 vjeçar, në lëkurën e brishtë të së cilit kishin kishin damkosur një "barkod" të njeriut mall. E përmenda për të njëjtën arsye si Levi;
"Huberniku vdiq në ditët e para të marsit, i lirë por jo i shëlbuar. Prej tij s'ka mbetur asgjë: ai dëshmon përmes fjalëve të mia." (fq. 23)
Do ndeshemi ndër të tjera me tifon e morrit, tregun e zi në Krakovë dhe Kratovië, festimet e potershme të rusëve dhe të tjera aventura me bileta falas për tramvaje e kinema mundësuar për Primo Levin, falë një "propusku". Për të, liria e vërtetë vjen kur dielli shkrin borën e prillit, ndërsa lufta përfundon me 8 Maj, pa harruar se njeriu është gjithmonë në l
uftë.
Drejt jugut, pastaj drejt veriut, nga një ndalim në tjetrin, kryq e tërthor Europës, ai mbërrin në Torino më 19 tetor.

Për jetën jashtë kampit, mundem veç ta citoj Levin;
"Tani, kjo ëndërr brenda meje, ëndrra për paqe, ka mbaruar , dhe jashtë, në ëndrrën që vijon e acartë, ndiej të jehojë një zë, majft i njohur: një fjalë e vetme, jo urdhëruese, madje e shkurtër dhe e mbytur. Është komanda e zgjimit në Aushvic, një fjalë e huaj, datëkallëse dhe e pritshme: ngrihuni, Wstawa." (fq. 240)
Jam e lumtur që e njoha Primo Levin edhe pse librin e mbylla me shpirtin zbrazur. Këta dy libra futen në listë e sugjerimeve të mia, tek nëndarja "libra që duhen lexuar patjetër".


Comments

Post a Comment

Popular Posts