Ta mësojmë dashurinë siç bëri Leo Buscaglia

Para një viti mora dhuratë librin "Të jetosh, të dashurohesh, të kuptohesh" nga Leo Buscaglia. Sjellë në shqip nga Shtëpia botuese Çabej me përkthim të Zhak Pilika.
As titullin se kisha të dëgjuar, as Buscaglia-n s'e njihja. Sa mëkat!
Në fakt, po ta shihja nëpër raftet e librarive as s'do ta merrja. Nuk më pëlqen kopertina e tij, më jep ndjesinë e atyre librave që s'kanë çfarë të shprehin ndër rreshta e duan të tërheqin me figura e ngjyra. 
Tani që njihemi prej pak kohësh, unë e lë këtë libër në një vend që ta shoh shpesh, mund t'i vjedh energjinë edhe duke lexuar shkarazi ndër rreshta.

Nuk dua të flas për librin. Doja t'ju thoja se nëse mendoni të blini një libër gjatë këtyre ditëve, ky është i duhuri dhe s'kam dyshim!

Dua të ndaj me ju, disa citate që i kam ruajtuar në bllokun që mbaj gjithmonë në çantë.

"Ndoshta shumë prej jush e dinë, si nga librat e mi ashtu edhe nga emisionet, që i jam kushtuar thellësisht dashurisë, si një gjë që mund të mësohet. Besoj sinqerisht se secili prej nesh përmban një potencial dashurie të madhe dhe të jashtëzakonshme; por është dashuria si potencë, si të gjitha potencat e tjera, të cilat nëse nuk veprojnë dhe nuk vihen në jetë , nëse nuk gjejnë zbatim në praktikë, nuk shërbejnë dhe shkojnë dëm." (fq.58)

"Atë ditë folëm gjatë për atë që është thelbësore. Zonja qante, por edhe unë qava. U përqafuam dhe ajo shkoi në punën e saj e unë në timen. Ja pra, ajo nuk kishte menduar asnjëherë të pyeste vetveten: "Ç'gjë është e rëndësishme tek unë? Cila është vlera ime? Cilat janë dëshirat e mia?" 
"Në qoftë se nuk e dini ende këtë pra, po jua përsëris: Si njerëz të pasur me dashuri, duhet të dhuroni atë që keni më të mirë, duhet të zhvilloni gjithçka që është e mrekullueshme tek ju... ato vetitë e veçanta si qenie njerëzore, unike. Sepse edhe nëse ju kanë mësuar që punët janë ndryshe, mos harroni asnjëherë se çdo njeri është i veçantë, unik. Është e jashtëzakonshme, nuk ekzistojnë dy njerëz njëlloj. Secili është i ndryshëm. Do të kishte qenë e mrekullueshme po t'i kishim mësuar në kohë asaj zonje që ishte e veçantë, që duhej ta zhvillonte këtë veçanti të saj. Nuk do të ndodhej në atë gjendje, po t'i kishim mësuar se si ta shkëmbente mrekullinë e saj me të tjerët." (fq.61)
"Ashtu siç e kam thënë në librin tim Love, besoj me të vërtetë që e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por apatia. Do të ish gati të bëja çdo gjë, me gjithë mend çdo gjë, për të shkëputur njerëzit nga gjendja e apatisë, sepse një gjendje e tillë është shumë më e keqe sesa vdekja. Mund të përballoj urrejtjen, mund të përballoj zemërimin, mund të përballoj dëshpërimin, mund të përballoj cilindo që ndjen diçka, por nuk mund të përballoj asgjënë." (fq. 83)
"Dikotomitë, ndarjet ekstreme: e mirë-e keqe, e drejtë-e gabuar... sa absurde! Normale-anormale... Nuk ekzistojnë. Ekzistojnë vetëm shkallëzime të tyre, mundësi dhe krijimtari. Tani kam në klasën time një vajzë të verbër, e cila është më normale se unë. Ajo di të shohë... pa diskutim. Vetë thotë: "Për mua është normale të jem e verbër, siç është normale për ju që shikoni."" (fq. 92)
"Besoj se gjëja më e rëndësishme, për një individ të pasur me dashuri, është që ai ta dojë veten e tij. Shumëkush mund të çuditet e të më thotë: '' Oh, ç'po na thua kështu? '' Jo, nuk po i thur lavde egoizmit. Nuk po ju them të rrini para pasqyrës e ta pyesni: ''O pasqyrë e murit, kush është më e bukura e botës?'' Nuk kam këtë qëllim. Kur flas për një njeri që e do vetveten, nënkuptoj dikë që është i ndërgjegjshëm se njeriu mund të japë vetëm atë që ka, dhe që punon me ngulm, pra, për të pasur diçka. Është e nevojshme të luftosh për t'u bërë individi më i përgatitur, më gjenial, më interesant, më i shumanshmi dhe më krijuesi në botë, sepse vetëm atëherë do të jesh në gjendje t'i dhurosh të gjitha këto; e vetmja arsye për të pasur diçka është ta dhurosh atë." (fq. 18)
 Kam edhe disa të tjera, por do iu bëj vendin nëpër shkrime të tjerat të miat. Nuk e mbyll aq lehtë me Buscaglia-n...
     ''Shkrimtari-filozof francez Saint - Exupéry, në një nga librat e tij, bën një pohim të mahnitshëm, duke thënë: ''Ndoshta dashuria është procesi në të cilin unë të çoj sërishmi ëmbëlsisht te vetja jote.'' ''(fq. 25)

Comments

Popular Posts